Vitia akuzon OShP-në e Prokurorinë për presion për tenderin për insulina

E publikuar: 10/05/2023 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është i shqetësuar me situatën rreth tenderit për insulina, pas insistimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që të procedohet tenderi për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.

Vitia ka akuzuar OShP-në dhe Prokurorinë për presion për ta nënshkruar kontratën.

Ai ka njoftuar se urdhëresës së OSHP-së për këtë vendim, MSH-ja ka kundërshtuar nëpërmjet padive.

Këto komente ai i bëri në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë ku u vendos që t’i rekomandohet Kuvendit shkarkimi i anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi.

“Shprehim shqetësimin tonë për një situatë e cila rrezikon në mënyrë shumë substanciale shëndetin publik. E këtu kemi të bëjmë me tenderin për insulina një tender që është hapur më 2020. Është betejë për ligjshmërinë, për ruajtjen e shëndetit publik. MSH-ja shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm të OSHP-së për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndëmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”.

“Ne nuk mund të pranojmë që të hyjnë barna të paregjistruara. Unë jam para dy zgjedhjeve ta bëj nënshkrimin si ka kërkuar, ku pastaj unë vet edhe në aspektin moral edhe ligjor do të jem i përndjekur se kam shkelur ligjin. Nëse e nënshkruaj do të ndiqem nëse nuk e nënshkruaj do të ndiqem”.