Viti nis me tetë raste të dhunës në familje

E publikuar: 03/01/2026 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje dhe incidente të ndara që janë regjistruar gjatë 1 dhe 2 janarit 2026 në komuna të ndryshme të vendit, ku në shumicën e rasteve janë bërë arrestime.

Në Graçanicë, rreth orës 03:30, është arrestuar një shtetas gjerman, i cili dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka sulmuar bashkëshorten e tij gjermane. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në këndellje.

Në Lipjan janë raportuar dy raste të ndara. Rreth orës 11:00, një femër kosovare është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj nënës së saj. Po ashtu, rreth orës 11:45, një mashkull kosovar është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij. Në të dyja rastet, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Rahovec, rreth orës 01:07, janë arrestuar dy persona meshkuj, babë e bir, të cilët nën ndikim të alkoolit janë përleshur fizikisht mes vete. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Malishevë, rreth orës 16:30, është raportuar një rast kanosjeje, ku një persona dyshohet se ka kërcënuar përmes telefonit të fejuarën e tij. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, më 2 janar 2026, është arrestuar një i mitur, i cili dyshohet se më 1 janar rreth orës 22:00 ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Ndërkohë, në Mitrovicë janë raportuar dy raste. Rreth orës 14:40, një mashkull kosovar është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht dhe kanosur bashkëshorten e tij. I dyshuari ka dorëzuar edhe një armë gjuetie me 17 fishekë dhe është dërguar në mbajtje. Në një rast tjetër, rreth orës 16:10, një mashkull kosovar është arrestuar pas një incidenti me bashkëjetuesen e tij, e cila ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës njofton se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokuroritë kompetente.