Vitamina C e mirë kundër tuberkulozit

E publikuar: 23/07/2015 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vitamina C mund të thyejë mburojën e atij që njihet si tuberkulozi rezistent ndaj kurave tradicionale. Kjo formë e tuberkulozit, prek thuajse çdo vit mbi 650 mijë persona në mbarë botën.

Tuberkulozi rezistent , MDR-TB (multidrug resistant tuberculosis) i reziston si isonazidit ashtu edhe rifampicinës, dy prej kurave kryesore për kurimin e tij.

Zakonisht, kjo formë e kësaj sëmundje shkaktohet nga neglizhenca e të prekurit nga bakteri që e shkakton atë ose nga receta e gabuar e mjekut.

Pas vitesh studime për të gjetur mjetin që do të thyente këtë rezistencë, një grup mjekësh të Universitetit Yeshiva në Shtetet e Bashkuara, dolën në përfundimin se vitamina C thyen këtë rezistencë.

Nga eksperimentet dhe analizat e kryera në laborator, duket se vitamina C ndikon si agjent reduktues i bakterit rezistent ndaj kurave tradiconale deri më tani.

“Ky mund të jetë një zbulim i madh për t’u konsideruar në të ardhmen sepse kemi forma tuberkulozi për të cilat nuk kemi kura, por që në laborator ne mundëm t’i asgjesojmë ato duke përdorur vitaminën C”, deklaroi William Jacobs, udhëheqësi i studimit.

Megjithatë, grupi i mjekëve amerikanë deklarojnë se do të duhet ende punë për të përcaktuar me siguri nëse kjo vitaminë ndikon në të njëjtën mënyrë si në laborator edhe në organizëm, si të njeriut ashtu edhe të kafshëve, transmeton top channel.

Vitamina C ka disa veti të rëndësishme për organizmin, ndër të cilat kryesore është mbrojtja e qelizave. Kjo vitaminë gjendet me shumicë tek portokalli, brokoli dhe disa fruta të tjera.