Kryetari i LVV, Visar Ymeri për herë të parë e ka goditur korporatën Devolli dhe disa kompani tjera duke thënë se shteti është bërë mburojë e tyre.
Ai po ashtu ka thënë se qeveria e Kosovës po vazhdon të mos i marrë parapashë interesat e qytetarëve të saj të adresuara në protestën e 18 Prillit.
Ymeri në konferencën për media të LVV”së ka thënë se këto janë disa prej arsyeve se pse duhet vazhduar të protestohet.
Lexoni të plotë komunikatën e VV’së:
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media, ku tregoi se Qeveria e Republikës së Kosovës për dy javë rresht pas protestës së 18 prillit, nuk e ka adresuar asnjërën prej kërkesave të asaj proteste, që ishin:
– Shfuqizimi i vendimit për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike dhe shkarkimi i Bordit të ZRrE-së;
– Dorëheqja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani;
– Të shkarkohet Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi
– Të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së;
– Trepça me ligj të veçantë të shndërrohet në ndërmarrje publike me status të veçantë;
– Të mos themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Driton Çaushi, tha se koalicioni qeverisës ka vazhduar me neglizhim të skajshëm të interesave të qytetarëve, e shpërfillje të institucioneve të vendit. “Asnjë seancë parlamentare nuk është mbajtur tash e dy javë. Këto kërkesa të protestës janë të drejta, legjitime dhe në interes të mirëqenies së qytetarëve. Shpërfillja e qeverisë karshi këtyre kërkesave është shpërfillje e qytetarëve të vendit, dhe rrjedhimisht shpërfillje e interesave jetike të Republikës së Kosovës, dhe tregon qartë se qeveria nuk njeh gjuhën e mirëkuptimit por atë të presionit. Kjo e bën organizimin dhe angazhimin e qytetarëve edhe më të rëndësishëm e të domosdoshëm”, u shpreh ai.
Ndërsa, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymeri, tha se Qeveria jo vetëm që nuk i ka adresuar këto kërkesa, por ka vazhduar me avazin e vjetër duke e forcuar kështu edhe më tej kapjen e shtetit. “Me këtë, Qeveria po e dëshmon se ajo nuk interesohet fare për interesin e qytetarëve sepse është në funksion të zaptuesve të shtetit. Është bërë mburojë e ruajtjes së profitit të Bechtelit, KEDS-it, Limakut, Devollëve e Elkosit, në dëm të interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, theksoi Ymeri, duke shtuar se ne vazhdojmë të insistojmë në domosdonë e çlirimit të shtetit nga kapja, të krijimit të një mjedisi demokratik në Republikën e Kosovës, të një hapësire që garanton pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrjen politike e mirëqenien ekonomike.
Ne do t’i intensifikojmë aksionet dhe veprimet politike për ta realizuar plotësimin e këtyre kërkesave. Kjo Qeveri e kapjes nuk mund të jetë Qeveri e Republikës. Qytetarët e organizuar janë fondamenti i Republikës, dhe vetëm qytetarët e organizuar mund ta çkapin shtetin e bëjnë Republikën.