“Një burrë shtetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes”. Zhorzh Pompidu
Nga Nijazi Idrizi
Angazhimi i shteteve perëndimore dhe i forcës ushtarake të NATO-s në çlirimin e Kosovës e ka determinuar edhe pozicionimin politik të shtetit të ri të Kosovës, duke ia hapur rrugën euroatlantike, me objektiva të definuara çartë: ndërtimi i shtetit kapitalist, integrimin e tij në BE dhe anëtarësimin në NATO. Për arritjen e këtyre objektiva, Kosova ka pas nevojë ta hartoj një plan kombëtar të bazuar në kërkesat e BE dhe të njëjtin ta zbatoj në periudhë të shpejtë kohore. Për hartimin e këtij plani, ka pas mbështetje nga shtetet mike, ndërsa për zbatimin e tij ka pas vullnet qytetar.
Ngjarjet kanë treguar se për arritjen e këtyre objektivave nuk është punuar fare, sepse udhëheqësit e Kosovës nuk kanë pas guxim politik. Ata, në të gjitha këto vite, kanë punuar nën stresin e kërcënimit dhe mundësisë së shkaktimit të krizave nga shteti serb. Kjo frikë më shumë ka qenë e shpifur se sa një realitet, por si e tillë ajo iu ka përgjigjur të gjitha palëve të instaluara në Kosovë, të cilat donin të dilnin të suksesshme në misionet e tyre, me objektiva të ndryshme. Duke u pajtuar me këtë gjendje, udhëheqësit kosovarë, nën arsyetime të ndryshme që lidhen me partnerët strategjik të vendit, i mbytën këto objektiva madhore, të cilat i zëvendësuan me disa të tjera dhe me efektet e kësaj loje mbijetuan edhe vet deri në ditët e sotme. Qytetarët e Kosovës, të futur në sandviç, tashmë nga oligarkët e vet dhe Serbia, kanë mbetur me duar të kthyer nga perëndimi, duke u lutur për mëshirë.
Kosova nuk arriti të konsolidohet si shtet kapitalist. Oligarkët, me formulat e dështuara të privatizimit, i plaçkitën asetet e pronës shoqërore dhe shtetërore, i forcuan klanet duke i infiltruar në pushtet dhe e thurën rrjetin e merimangës kudo. Me kompanitë e tyre private, hartuan dhe zbatuan projekte milionëshe nga piramida e shtetit, njëjtë si në sistemin socialist të planifikimit. Të gjitha fitimet u shpërndan nga oligarkët, (duke filluar nga PTK, KEK, derivatet e naftës, autostradat, bankat, kompanitë e sigurimeve, mineralet, ndërtimtaria, spitalet, universitetet etj.), e deri te ato për grupet kriminale, (të cilët madje edhe autostradave u jepnin pamjen e gjarprit, për t’i përfshirë tokat e tyre në to). Bizneset e tregut, të zhvilluara nga djersa e tyre, u lan të mbijetojnë pa mbështetje shtetërore, nën trysnin e borxheve nga bankat komerciale, inspektorët e tatimeve dhe reketi. Kështu në një hapësirë perëndimorë, me misionarë të BE, me fjalorë dhe modë kapitaliste, po lulëzon ekonomia e planifikimit socialist të Kosovës, e vetmja mbeturinë e idealeve të rrëzuara bolshevike.
Kosova, për shkak të mospërmbushjes së standardeve, nuk arriti ta bëjë asnjë hap drejt integrimit në BE. Ky është vendi i vetëm në Evropë, ku e drejta e lëvizjes së kosovarëve është e kufizuar me viza, për të cilat janë të obliguar të aplikojnë edhe vet oligarkët, të cilët jo rrallë tallen nga ambasadat. Ata, nuk po arrijnë që me metodat e kërcënimit dhe të korrupsionit, këtë Kosovë (të infektuar nga krimi), ta integrojnë në BE. Në të gjitha takimet integruese rajonale, evropiane e globale, edhe pse ky vend formalisht ftohet, takimet me udhëheqësit e saj, (në ato bilaterale dhe multilaterale), refuzohen me neveri. Kjo po ndodh posaçërisht pas nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të mbështetur edhe nga Presidenti dhe Kryeministri për zhbërjen e Gjykatës Speciale, për themelimin e të cilës janë angazhuar me shpirt shumica e tyre. Me këtë sjellje, Kosova po izolohet përditë e më shumë dhe e ka humbur besimin e atyre që kanë investuar në çlirimin dhe shtetformimin e saj. Qytetarët e saj, për shkak të barrierës së vizave, nuk po arrijnë t’i shfrytëzojnë përparësitë që i ofron BE dhe janë zhytur në mjerim. Nga mungesa e perspektivës të rinjtë kanë filluar të joshen me viza pune nga tregu i zi i punës dhe po ikin në drejtimin pa kthim, duke e rrezikuar Kosovën që të mbetet vetëm në pleq. Sipas një informate, vetëm nga Suhareka, këtë rrugë e kanë marrë rreth 5 mijë të rinj.
Kosova për shkak të lojës së udhëheqësve të saj, nuk arriti ta kaloj asnjë shkallë të shndërrimit të FSK-së as në Forcë të Armatosur të Kosovës, e lëre më të anëtarësimit të saj në NATO. Ajo mbeti një shpenzuese pasive e buxhetit të varfër të Kosovës, me mision të tejkaluar dhe pjesëtarët e saj, (pa fajin e tyre), kanë mbetur manekenë të reklamimit të rrobave ushtarake. Një gjeneratë e të rinjve e mësuar në luftërat çlirimtare, nuk arriti ta bart frymën e luftës për liri në Ushtrinë e re. Për më keq, ajo nuk arriti as ta jap kontributin e vet për paqen botërore, në luftërat që po zhvillohen nëpër botë, ku së paku do ta kishin dhënë kontributin e vet për tërheqjen nga luftimi të bashkëkombësve të vet, të cilët pa asnjë motiv të shëndoshë u gjetën në radhët e ISIS-it, ku shkuan mish për top.
Dhe krejt në fund! Kosova, kështu siç është, e braktisur nga plëngprishësit e vet, në këtë proces botëror të rishikimit të politikave globale, (që aktualisht po ndodhin në botë), ka rrezik të pozicionohet andej ku nuk duhet, në anën e humbësve.