Rreth 3.5 milionë euro është vlera e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar e kryeterroristit Milan Radoiçiq, sipas vlerësimeve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Nga kjo shifër, mbi 3 milionë e 100 mijë euro janë pasuri të paluajtshme.
Prona më e vlefshme e Radoiçiqit vlerësohet të jetë vila e ndërtuar buzë Liqenit të Ujmanit, e cila u zbulua për publikun pas bastisjeve që u kryen lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë, shkruan Reporteri.net.
Vlera e kësaj vile është 1 mijë e 907 mijë e 493 euro. Më pas, për nga vlera renditen penthouse që vlerësohet se ka vlerë 644 mijë e 400 euro dhe restoranti në vlerë 400 mijë euro. Banesa e tij është vlerësuar se ka vlerë 69 mijë e 220 euro, derisa zyra e tij 82 mijë e 65 euro.
Përveç pasurive të paluajtshme, në duar të shtetit janë edhe 31 automjete të konfiskuara e 8 të tjera të sekuestruara në vlerë prej 327 mijë e 570 eurosh.
Të gjitha pronat e Radoiçiqit monitorohen e sigurohen përmes kamerave të sigurisë e nga Policia e Kosovës. Sipas Agjencisë, kostoja mujore e administrimit dhe sigurimit të pronave është 420 euro.
“Ne përputhje me procedurat ligjore, AAPSK-ja ka ndërmarrë veprimet e duhura duke filluar nga evidentimi dhe fotografimi i gjendjes dhe gjësendeve në objekte. Janë zëvendësuar cilindrat në dyert hyrëse si dhe janë vendosur pajisjet për monitorim elektronik (kamerat dhe alarmet)”, kanë deklaruar nga kjo agjenci për Koha.net.
Vilën e Radojiçiqit, e cila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore, Shteti ka planifikuar ta kthejë në stacion të Policisë së Kosovës, saktësisht për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit. Për t’u realizuar kjo, prona duhet t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo nuk ka ndodhur ende.
Lidhur me këto plane, është deklaruar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë të dhënë gjatë fundjavës. Ajo ka thënë se si dikaster janë duke punuar që këto prona t’i barten Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Tashmë, ju e dini që ka vendim për sekuestrim të asaj prone, ne po diskutojmë që të shohim mundësitë së si ta japim në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe besoj se shumë shpejt do ta kemi edhe rregullimin ligjor për këtë sepse ju e dini që kur kemi prona të sekuestruara nuk është e lehtë për Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk ka mundësi Ministria e Drejtësisë ato t’i jap në shfrytëzim ne bëjmë, japim në shfrytëzim banesa të cilat janë të konfiskuara apo pasuri tjera të luajtshme të cilat janë të konfiskuara mirëpo jemi në përpjekje që ta përmbyllim edhe këtë çështje dhe ta japim për nevojat e Policisë së Kosovës apo Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, grupi terrorist i udhëhequr nga i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.