“Me syrin e një klouni”. Ky titull i famshëm i Hajnrih Bëlit do t’i shkonte më së miri deputetit të LSI-së Startak Braho.
Megjithë moshën e thyer, Braho po sillet si një voyeur apo si një kloun. Prej kohësh ai shfaqet në publik, sa herë që shefi i tij Ilir Meta ka ndonjë hall dhe me një çantë të madhe në dorë pretendon se aty ka video që pastaj nuk i nxjerr kurrë. E ka bërë dikur në emisionin Opinion të Fevziut, po e përsërit edhe tani duke shpallur javë pas jave se do të vërë videoprojektor në Parlament.
Publiku beson se janë po ato video të marra nga regjistrimet e Dritan Priftit, në atë kohë kur Meta jo vetëm kontrolloi drejtësinë për gjyqin e tij, por “vodhi” edhe materialet që ajo kishte në dispozicion. Dhe këto i përdor me çantë të Baba Takut si shantazh. Kjo po ndodh edhe tani, kur ditë pas dite infiltrohen lajme në media se Taku do t’i nxjerrë videot. Gazeta Sot shkruan se në “çantën e zezë” të Spartak Brahos ndodhet një video që implikon ish- ministrin Dritan Prifti në pozicione aspak te pershtatshme seksuale.
Mësohet se video është realizuar nga vetë Prifti dhe është zbuluar gjatë inspektimit të videos së famshme Meta- Prifti. “Sot” raporton se Braho do ta bëjë publike këtë video. Ndërkohë Braho ka lënë të kuptohet se ka edhe një video për djalin e ish- kryeministrit Sali Berisha.
Edhe kjo mund të jetë pjesë e regjistrimeve që ka bërë Dritan Prifti dhe që kanë qenë pjesë e një proçesi ekspertize dhe hetimi. Por nëse i ka këto video vërtet, për moshën që ka dhe në emër të profesionit të vjetër që ka pasur, i lutemi baba Takut ose t’i nxjerrë ato, ose të heshtë përgjithnjë. Sepse ka katër vite që sillet me një çantë të zezë në dorë duke bërtitur në qytet: “prisni se i nxorra”.