Dy vëllezër janë arrestuar pasi të njëjtit u kapen me 1 kilogram kokainë që dyshohet se do ta shisnin në doza pranë shkollave të Durrësit.
Në kuadër të operacionit “Tempulli” dhe paketës së masave për sigurinë në shkolla u organizua një operacion policor i koduar “Pjeza”.
Tutje, policia bën të ditur se dy vëllezërve i janë sekuestruar 1 kilogram e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që dyshohet se e përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza si dhe dy automjete dhe katër celularë.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasit Ndriçim Balla, 45 vjeç, dhe Indrit (Balla) Dauti, 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë të Shijakut, ndërsa sekuestruan në cilësinë e provës materiale lëndën e dyshuar si narkotike, pajisjet për dozimin e saj, 2 automjete dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.