Konfirmimi mbetet objektivi kryesor, por Sebastian Vettel përpiqet ta mbajë Ferrarin me rrota në pistë, e thënë ndryshe me këmbë në tokë. Në skuadrën e kuqe, pas asaj fitoreje të bukur në Malajzi, është rikthyer buzëqeshja që mungonte prej gati dy vjetësh. Gjithsesi piloti gjerman tregohet i matur, sepse kampionati siç thotë ai, sapo ka nisur.
“Duhet të jemi realistë për atë që mund të arrijmë. Duam të konfirmojmë se kemi një makinë të fortë, por duke e ditur se Mercedes mbetet në pozicion të fortë”.
Në vijim 4 herë kampioni pyetet nëse fuqia e Ferrarit ishte reale ose jo në garën e Malajzisë.
“Mendoj ishim vërtet të fortë. Kushtet në tërësi ishin të atilla, që ne i shfrytëzuam në maksimum. Në vijim mund të ketë shumë luhatje, por ne synojmë që vetëm të përmirësohemi”.
Me një tjetër triumf të mundshëm në Shangai, Vettel arrin numrin e 41 fitoreve të legjendës Ayrton Senna. Piloti gjerman tha se kjo arritje do të ishte shumë e veçantë për të, teksa pranoi se krahasimet me të shkuarën nuk do të ishin të drejta, pasi në ditët e sotme Formula 1 ka 19 apo 20 gara për sezon.