Lëvizja Vetëvendosje, thotë se sot Policia e Kosovës, “duke e ndjekur rrugën e shpifjeve të kryeministrit dhe kryepolicit Isa Mustafa, bëri një deklaratë të gënjeshtërt dhe shumë tendencioze”
“Policia tha se Salih Zyba është arrestuar ngase ishte i dhunshëm. Por, nga xhirimet e kamerave të Komunës së Prishtinës si dhe dëshmitë e punëtorëve të sigurimit të Komunës, është e qartë që Salih Zyba ka qenë duke qëndruar bashkë me punëtorët e sigurimit, në oborrin e Komunës, ndërkohë që aty janë futur dy policë civilë”, thotë Vetëvendosje në një komunikatë për media.
Sipas LVV-së, Salih Zyba, së bashku me punëtorët e sigurimit kanë shkuar për t’i pyetur se kush janë dhe çka po bëjnë në parkingun e Komunës, ndërsa policët civilë kanë filluar menjëherë të ofendojnë dhe pastaj ta godasin Salih Zybën dhe e kanë arrestuar atë, me ndihmën edhe të një patrulle policore që ka ardhur ndërkohë.
“Dhuna policore e kohës së masave të dhunshme, përherë është përcjellë edhe me propagandë policore që ka tentuar t’i demonizojë qytetarët që i arrestonin. Saktësisht e njëjta po ndodh edhe sot nën qeverisjen e Isa Mustafës. Isa Mustafa duhet të japë dorëheqje, në të kundërtën qytetarët do ta shkarkojnë atë”, thotë në fund të komunikatës LVV-ja.