Vetëvendosje i reagon ashpër Edi Ramës, e akuzon se e mori Sunny Hill-in si predator

E publikuar: 14/06/2022 22:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arbër Zaimi i VV-së e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për humbjen e organizimit të Festivalit Sunny Hill.

Prishtina humbi organizimin e festivalit si pasojë e vonesave të dokumentacioneve nga ana e MAPL-së, e cila thotë se komuna nuk ia ka dorëzuar në kohë të gjitha dokumentet e nevojshme. Tash VV hedh fajin diku tjetër. Zaimi pretendon se Edi Rama ua vodhi organizimin e festivalit.

“Nuk është lajm fakti se Dukagjin Lipa i publikoi datat e organizimit në Tiranë vetëm pak minuta pasi i dërgoi letër Qeverisë së Kosovës. Pra nuk është lajm që letra e tij në fakt s’u shkrua për të pritur përgjigjen. Por lajm është sjellja predatore e Qeverisë Rama. Po jepet mesazhi se tash e tutje, sa herë që Qeveria e Kosovës negocion me ndonjë biznes për të gjetur ekuilibrin mes interesave publike e private, përballë nuk do të ketë thjesht kompanitë private, por edhe Ramën”, shkruan ai.

“Shumë keq, sepse po nisi një “garë” e tillë mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të fitojë veç kapitali privat dhe politikanët e blerë prej tij. Kjo “garë” do ta lërë krejt të shkatërruar interesin publik. Nuk do të duhej Qeveria e Shqipërisë të niste një “garë” të pistë e predatore kundër Kosovës”, shton ai.