
Një video përmbledhëse e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën vihen në dukje të arriturat gjatë mandatit katërvjeçar shkaktoi reagime të opozitës.
Në këtë video, Vetëvendosje krenohet me luftën kundër korrupsionit, vizat, sovranitetin në veri…
“Qeveria Kurti është qeveria e parë në historinë tonë politike që realizon një mandat të plotë. Ky mandat katërvjeçar u shënua nga suksese të rëndësishme dhe sfida të mëdha. Katër vite për Republikën, katër vite që i dhanë shtetit themel të fuqishëm dhe qytetarëve dinjitet.
Kosova sot është më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar se kurrë më parë, me rend, ligj dhe shpresë në çdo cep të vendit. Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën tonë të mirë gjatë këtij mandati. Na presin shumë punë të mira edhe në mandatin e ardhshëm. Po jetojmë në rrethana të vështira globale, por vetëm me qeverisje të mirë mund të triumfojmë”, thuhet ndër tjera në këtë video të Vetëvendosjes.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku reagoi, duke e quajtur Vetëvendosjen ‘‘kampione të padiskutueshme’’ për propagandë.
“Kur s’ke çfarë të tregosh nga puna, kthehesh te propaganda – aty ku LVV është kampione e padiskutueshme. Kjo qeverisje s’ka sjellë as zhvillim, as mirëqenie, as shpresë. Ka sjellë vetëm rritje – rritje çmimesh, rritje faturash. Produktet bazike janë luks. Energjinë elektrike luks poashtu.
Në çdo fushë tjetër: stagnim, dështim dhe degradim. Por për ta, mjafton të flasin. Se fjala është e lirë, ndërsa përgjegjësia, duket, u është e huaj”, u shpreh Çitaku.
Edhe partia tjetër opozitare LDK-ja reagoi ndaj videos së publikuar të Lëvizjes Vetëvendosje. Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa tha se Vetëvendosje po tregon përralla.
“Tash që rritet çmimi i rrymës për herën e tretë gjatë kësaj qeverie e çmimet e produkteve ushqimore kanë shpërthyer, VV del me një video ku tregon përralla për “sukseset” e saj. “Hedhju një grusht hi syve, i hajnë rrenat këta, qy!”, shkroi Mustafa./EO