Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar menjëherë lirimin e aktivistëve të tjerë të burgosur në burgjet e Pejës e Lipjanit, pas vdekjes se Astirt Deharit në burgun e Prizrenit, njofton Klan Kosova.
Kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se tashmë nuk kanë besim në institucione dhe kanë frikë për aktivistët e tyre.
“Sot kam dërguar letër në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kam kërkuar nga ministria të vizitoj burgun në Pejë dhe Lipjan për të parë aktivistët tanë atje”.
“Kërkojmë lirimin e tyre, sepse tash nuk jemi të sigurt si funksionin ky sistem”, ka pohuar Ymeri.
Ymeri, bashkë me sekretarin organizativ të LVV-së, Dardan Molliqajn, kanë bërë përgjegjës shtetin për vdekjen e aktivistit të tyre dhe kanë thënë se është e pavërtetë që Astrit Dehari ka vdekur nga barnat, “sepse ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk përdoret madje as qetësues”.



















