Vetëvendosja: Vazhdimi seancës natën tensionon situatën

E publikuar: 23/10/2015 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmes një komunikate për media ka thënë se vazhdimi i seancës natën, do ta rritë tensionin e situatës.

Ata kanë thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk e ka mbajtur fjalën.

“Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën për 1 orë pauzë. Ai e shtyu pauzën deri në orën 20:00. Zhvillimi i seancës natën, nën rrethim policor të Kuvendit dhe nën masa të rrepta sigurie brenda Kuvendit, duke ndërruar sallën – me rrezikun që të mos i lejojë mediet brenda, do të shpie në tensionim të mëtutjeshëm të situatës”, thuhet nga Vetëvendosja, transmeton Koha.net.

Më tej thuhet nga Vetëvendosja se jo rastësisht Kadri Veseli zgjodhi natën për të vazhduar seancën dhe se ai po do që të tentojë vazhdimin e seancës natën, ngase nata ka qenë përherë koha e preferuar e tij, për të zhvilluar aktivitete kundërshtetërore.

Në komunikatë bëhet e ditur përsëri se opozita nuk do të heq dorë pa u tërhequr nënshkrimi nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Opozita bën thirrje edhe njëherë që të mos vazhdohen seancat e Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Ne do ta mbrojmë Republikën dhe nuk pranojmë asnjë kompromis në këtë kauzë.”