Veteranët e UÇK-së bëjnë homazhe në Prekaz, Gucati: Ende nuk ndihemi plotësisht të lirë

E publikuar: 30/12/2025 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, theksoi se kjo ditë ka rëndësi të veçantë, por sipas tij veteranët nuk e ndiejnë veten plotësisht të lirë, për shkak se institucionet e Kosovës ende nuk kanë miratuar ligjin për vlerat e luftës.

Ai kujtoi se në këtë vend, para 34 vjetësh, nisën shkëndijat e para të lirisë dhe lufta e parë frontale e familjes Jashari, ku Shaban Jashari me djemtë e tij, Hamzën dhe Ademin, së bashku me gjithë familjen, u përballën me forcat serbe për të hapur rrugën e lirisë së sotme.

“Mu në këtë vend para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharit u përballen me forcat çetnike parlamentare serbe që luftuan për ditën e sotme. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, tha Gucati.