Ditë e sikletshme ka qenë kjo e së martës për kryeministrin Isa Mustafa, kur opozita provoi ta godasë me ve në seancën e Kuvendit. Por, vështirësitë për të nuk kanë të ndaluar.
Mëngjesin e së mërkurës dy persona kanë provuar përsëri ta sulmojnë eskortën e kryeministrit derisa po kalonte në këtë rrugë nga shtëpia e tij drejt ndërtesës së Qeverisë, raporton KTV.
Në oborrin e Qeverisë janë ekspozuar mjetet, të cilat u janë gjetur personave që i kanë ikur policisë.
Në mesin e tyre ka pasur edhe copëza metali, që janë mjet i sofistikuar për shpërthim të gomave të veturave.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se kanë parandaluar një sulm të mundshëm dhe u ka bërë apel qytetarëve të mbajnë qetësinë dhe të mos përfshihen në raste të tilla.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga marrëveshja për Asociacionin, ka organizuar aksione të ndryshme ndaj kryeministrit, nuk ka pranuar të jetë organizatore e këtij tentim-sulmi, duke thënë se këtë nuk e kanë bërë ata.
KohaVisioni ka mësuar nga burime të afërta me hetimet e Policisë se njëri nga të dyshuarit tashmë është identifikuar, transmeton Koha.net.
Ai është T.G., pronari i telefonit që u gjet nga Policia e që ai aksidentalisht e ka hedhur në rrugë gjatë ikjes.