Merr fund pritja për Frederik Veselin. Mbrojtësi shqiptar është teseruar me skuadrën e Empolit në Serie A, duke zgjidhur problemet burokratike që e mbanin të lidhur me Luganon edhe pse kishte gjetur gjuhën e përbashkët me klubin toskan. Lajmin e bën të ditur Empoli në faqen zyrtare në internet ku thekson se Veseli është tashmë zyrtarisht një lojtar i kësaj skuadre pasi ka nënshkruar një kontratë që skadon në 30 Qershor 2018.
Marrëveshja mes 23-vjeçarit të Kombëtares Shqiptare dhe klubit italian ishte arritur që në fillim të muajit Gusht, por pengesat buroktarike e penguan atë të bashkohej që në fazën përgatitore me skuadrën e tij të re. Gjithsesi, mbrojtësi shqiptar do të jetë gati për javën e 6 të Serie A dhe është trajneri Giovanni Martusciello ai që do të vendosë nëse Veseli do të udhëtojë me skuadrën për në transfertën e Romës kundër Lazios.
Veseli bëhet lojtari i tretë i Kombëtares që transferohet nga Superliga zvicerane në Serinë A gjatë vitit 2016. Përpara tij, këtë rrugë e ndërmorën Arlind Ajeti fillimisht te Frosinone dhe tashmë te Torino dhe Berat Gjimshiti te Atalanta edhe pse tashmë është huazuar te Avellino. Gjithashtu, ai është lojtari i shtatë kuqezi që në sezonin e ri do të militojnë në elitën e futbollit italian, me koloninë shqiptare që përbëhet edhe nga Elseid Hysaj te Napoli, portierët Etrit Berisha te Atalanta dhe Tomas Strakosha te Lazio, si edhe Ledian Memushaj e Rey Manaj te Pescara