Kryetari i ri i PDK-së Kadri Veseli, pak pasi ka ardhur zyrtarisht në këtë pozitë, ka premtuar shumë gjëra, shkruan GazetaBlic.
Ai ka thënë se do të kalojë net të tëra pa gjumë, vetëm e vetëm që ta gjejë një rrugë se si Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Natos.
“Por dua t’ju siguroj për diçka: unë kam për të përjetuar të njëjtën dhimbje si ju. Kam për të bashkëndjerë çdo shqetësim, sfidë apo vështirësi të vendit tonë. Kam për të kaluar pafund net pa gjumë duke vrarë mendjen se çfarë mund të bëj më mirë që shteti ynë të bëhet sa më shpejt anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe që qytetarët tanë të jetojnë sa më të begatë dhe të lire”, ka shkruar Veseli në facebook.
Po ashtu, ai ka thënë se dita e sotme ka sjellë objektivin më me peshë në jetën e tij.
“Në jetën time nuk kam pasur motiv dhe objektiv më të rëndësishëm se ky dhe ju siguroj që do të përpiqem për këtë objektiv sa të mundem deri sa të marr frymë”, ka shtuar Veseli.
Ndërsa, ka theksuar se nuk do t’i zhgënjeje ata që e votuan.
“Me këtë votëbesim më keni obliguar që unë të bëj gjithëçka që është e mundur për ta dëshmuar veten të denjë për përkrahjen tuaj. Unë e çmoj shumë besimin që më jepni dhe ju them si shqiptar krenar që besa është një kontratë e shenjtë e zotohem para jush që nuk do t’ju zhgënjej”, ka deklaruar Veseli.
Ndryshe, ai u zgjodh sot kryetar i partisë Demokratike, duke arritur që t’i marrë të gjitha votat./GazetaBlic./

















