Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pasur sot takim me deputetë të parlamentit të Malit të Zi dhe ai përmes një postimi në facebook ka shkruar që sot u diskutua për marrëdheniet në mes të dy vendeve.
Në një bashkëbisedim me deputetë të parlamentit të Malit të Zi, diskutuam për marrëdhëniet në mes dy vendeve tona dhe për rëndësinë që kishte pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006 për procesin e pavarësisë së Kosovës.
Të dy vendet tona janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit, dhe respektit të ndërsjellë.
Së pari, pavarësia e Malit të Zi ishte një argument edhe më shumë se çdo projekt i vazhdimësisë së ish Jugosllavisë, ishte historikisht i tejkaluar dhe politikisht i rrezikshëm.
Së dyti, pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, padyshim ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm.
Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar./Gazeta Tribuna/