Veseli: Seanca për Astrit Deharin do të mbahet të martën

E publikuar: 19/12/2016 15:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, ka qenë një nga më të rëndat gjatë mandatit të tij.

Ai tha se pavarësisht kundërshtimeve nga nënkryetarja Aida Dërguti, seanca e jashtëzakonshme e thirrur për Astrit Deharin do të mbahet nesër.

“Është tensionuar situata pse mos të debatohet në kuvend. Nëse ka të dyshuar deri në fund kemi me i shku rastit. Po le te harron dikush që politikisht do të përfitoj në tragjedi të tilla”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se mbajtja e seancës ka qenë e pamundur deri më tani, pasi që sipas tij nuk ka pasur raport zyrtar për rastin Dehari.“Sot me 40 nënshkrime të deputetëve kemi pasur një reagim që nuk i ka hije institucionit. Kam kërkuar që të vjen kolegia Dërguti të bashkëbisedojmë. S’kemi pranuar seancë të jashtëzakonshme pa e pasur raportin zyrtar për rastin. Është tensionuar situata pse mos të debatohet në kuvend”, tha Veseli.

Ai tha se peticioni me nënshkrimet e qytetarëve “Drejtësi për Astritin’, nuk adresohet për Kryesinë dhe mbajtjen e një seance parlamentare.

“Sot të gjitha veprimet e marra janë konform ligjeve në fuqi. Më vjen keq që po dalim kaq shumë të përçamë. Dikush për luftë për pushtet nuk ndalet dhe në tragjedi më të rënda”, u shpreh kreu i kuvendit. /KP/