Veseli në Hungari: Numri i studentëve kosovarë do të rritet për 50 studentë (Foto)

E publikuar: 05/11/2016 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Budapest studentët kosovarë që studiojnë në universitetet e Hungarisë, sipas një burse të dhënë nga qeveria hungareze.

Veseli i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi, ka diskutuar me studentët kosovarë për përvojën e deritashme të marrë nga ata në shtetin hungarez, ndërsa kanë dëgjuar edhe shqetësimet dhe kërkesat e tyre për institucionet e Kosovës.

Sipas një komunikate për media bëhet e ditur se Veseli i njoftoi studentët kosovarë se vitin e ardhshëm, sipas marrëveshjes me Qeverinë e Hungarisë, numri i studentëve kosovarë që do të përfitojnë bursa studimi për në këtë vend, do të rritet për 50 studentë.

Ai i inkurajoi studentët që të përkushtohen maksimalisht ndaj studimeve dhe pas përfundimit të tyre të kthehen dhe të japin kontribut në Kosovë.

Studentët e falënderuan Veselin për mikpritjen që ua bëri në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Hungari, ndërsa kërkuan mundësi dhe bashkëpunim të institucioneve kosovare për t’u ofruar të dhëna të nevojshme gjatë përgatitjes së temave të diplomës.

Me këtë rast, Veseli i siguroi se çdo informacion i nevojshëm për ta do të sigurohet dhe do tu ofrohet në shërbim çdo kapacitet i Ambasadës së Kosovës në Hungari./Indeksonline/