Përzierja e kryeparlamentarit Kadri Veseli në punët e Qeverisë së Kosovës ka ngritur “gjakrat” e partnerit të koalicionit në ekzekutiv, LDK-së, të cilët thonë se i pari i Kuvendit nuk ka asnjë bazë ligjore të japë beneficione nga buxheti i shtetit.
Ditë më parë Veseli u premtoi nga 100 mijë euro shpërblim për secilin futbollist të Përfaqësueses së Kosovës, në rast të suksesit të tyre në kualifikimet për “Botërorin e Rusisë”. Ai po ashtu nënshkroi edhe një memorandum mirëkuptimi me përfaqësuesin e kompanisë “Stone Alliance” nga SHBA-ja, me ç’rast u tha se miliona euro do të investohen në Kosovë.
“Si kryetar partie ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë veç nëse zotëri Veseli ka menduar t’i japë paratë e veta. Ndoshta ka buxhet personal, por si kryetar i Kuvendit nuk ka një linjë buxhetore përmes së cilës mund ta bëjë transferin e këtyre mjeteve, që mund të shkojë në 2-3 milionë euro”, ka deklaruar për “Zërin” deputeti i LDK-së, Arben Gashi.