Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke iu referuar fjalimit të presidentit austriak Heinz Fischer në Kuvend, ka thënë se kjo e shprehë më së miri frymën e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë, përkushtimin e shtetit austriak për t’i qëndruar pranë vendit, në rrugëtimin e tij të konsolidimit demokratik, zhvillimit ekonomik dhe rrugën e integrimit evropian.
“Ishte një nder i veçantë për ne, që sot kishim në mesin tonë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, presidentin e Republikës së Austrisë, Heinz Fischer”, ka shkruar Veseli në rrjetin social Facebook, raporton lajmi.net.
“Ne i shprehim gjithë mirënjohjen shtetit dhe popullit austriak, për ndihmën e vazhdueshme dhënë popullit tonë, në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, në ditët e vështira që ne kaluam nga koha e çlirimit deri tek pavarësia” ka shtuar ai më tej.
Këto lidhje në mes të Kosovës dhe Austrisë, për kryeparlamentarin Veseli, janë vlerë kombëtare.

















