Veseli: Lehtësira ligjore për ata që krijojnë vende pune

E publikuar: 21/10/2015 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krykuvendari Kadri Veseli, në kuadër të agjendës së tij të parlamentarizmit ekonomik, zhvilloi takim me një numër të prodhuesve vendorë.

Në takim u diskutua për mundësitë e stimulimit të resurseve vendore në fushën e prodhimit dhe përpunimit, duke theksuar faktin se vetëm nëpërmjet prodhimit dhe krijimit të vlerës së shtuar, si në sektorët prodhues ashtu edhe ata përpunues, Kosova do të mund të krijojë vendet e reja të punës.

Veseli gjatë këtij takimi shpalosi agjendën ekonomike rreth së cilës do të punohet për të ndihmuar rritjen e bizneseve prodhuese në Kosovë.

Në takim u fol edhe për masat urgjente që duhen ndërmarrë për krijimin e lehtësirave në tatimin në fitim. “Ne duhet të jemi konkurrues me rajonin. Në këtë drejtim duhet të lirojmë të gjithë prodhuesit dhe kompanitë shërbyese nga tatimi në fitim në një periudhë 10 vjeçare. Në të njëjtën kohë, do të duhet liruar të punësuarit e këtyre ndërmarrjeve të lirohen nga tatimi në të ardhura”, theksoi Veseli.