Veseli: Kosovarët nuk duan azil, duan të lëvizin lirshëm

E publikuar: 31/05/2018 10:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se me mbështetje të plotë të grupeve parlamentare është caktuar seanca plenare.

“Kemi caktuar seancë të re plenare, ku do të përfundojmë pikat e rendit të ditës të mbetura. Si kryesi jemi të interesuar të çojmë përpara agjendën parlamentare. Patëm unanimitet të grupeve parlamentare, jemi duke punuar për atë çka jemi të thirrur, të realizojmë projekte që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Veseli.

I pari i Kuvendit, ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Sipas tij, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti.

“Presim që në fund të vitit të lëvizim lirshëm. Është një lëvizje e merituar e jona. Do ta përçojmë zërin se duam lëvizje të lirë dhe jo azil. Kosovarët nuk do të kërkojnë azil në vendet e tjera, por duan të lëvizin lirshëm. Jemi vend i lirë, kemi ecur shumë përpara dhe kemi parasysh se liberalizimi do të ndodh. Këtë e kemi e konfirmuar në shumë vizita të delegacioneve të larta. Po planifikojmë që me datën 7 qershor të takohemi me kryetarin e kuvendit të Austrisë, pastaj në Francë e jemi duke punuar edhe për takim në Berlin”, ka shtuar kryeparlamentari./Indeksonline/