Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kosovës dhe Austrisë. Ai tha se Austria dëshmoi se vendit tonë i duhet jo vetëm përkrahja politike, por edhe ajo ekonomike.
Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndër parlamentar dhe mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi, në sferën e ekonomisë, rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe avancimin relacioneve ndër parlamentare.
Ambasadori Pfandler përgëzoi kryekuvendarin Veseli për përkushtimin ndaj debatit transparent brenda institucioneve, duke theksuar se dhuna në Kuvend nuk është rrugë e duhur për institucionet demokratike.
Ai më tej shtoi se vizita e para disa ditëve e presidentit austriak është përkrahje për Kosovën, biznesin dhe ekonominë kosovare.
“Austria dëshmoi se vendit tonë i duhet jo vetëm përkrahja politike, por edhe ajo ekonomike. Kapitali dhe investitorët austriak janë të mirëseardhur. Ne do të përdorim tërë mundësitë tona ligjore për favorizimin e të bërit biznes, mbrojtjen e kapitalit të huaj në Kosovë dhe përkrahjen e investitorëve”, theksoi kryetari Veseli.