Veseli: Javën e ardhme do të thërras seancë për Astrit Deharin

E publikuar: 13/12/2016 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar para medieve se do të thërrasë seancë plenare për të diskutuar për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai ftoi të gjithë deputetët që t’i bashkëngjiten këtij propozimi, për të diskutuar në një seancë të veçantë për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes”.

Kryeparlamentari Veseli ka paralajmëruar seancë të jashtëzakonshme për këtë rast për datën 14 dhjetor, por kjo është shtyrë me propozim të “Vetëvendosjes”.

“Unë e kisha paralajmëruar seancën për datën 14 dhjetor por në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kolegia e Kryesisë Aida Dërguti nga Vetëvendosje ka kërkuar që seanca të mos mbahet atë ditë. Tani këto ditë shumë deputetë janë jashtë, por javën tjetër pra më datën 19 aspo 20 shumica kthehen dhe seanca do të thirret menjëherë. Unë thërras të gjithë deputetët e gjitha subjekteve politike që ta mbështesin këtë iniciativë dhe ta mbajmë këtë seancë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Paralajmërimi i Veselit për këtë seancë kishte ardhur për shkak të akuzave dhe linçimeve që “Vetëvendosje” u bënte zyrtarëve shtetërorë për vdekjen e Deharit.

Në seancën e fundit parlamentare ku u diskutua për Deharin nga deputetët e “Vetëvendosjes”, kryeparlamentari Veseli kishte thënë se në seancën që do ta thërrasë PDK-ja për vdekjen e Deharit, do të diskutohet edhe për shkaqet dhe motivet shtytëse që kanë mundur ta çojnë Deharin drejt vdekjes.