Vesel Demaku lë Austrinë për “Dardanët”

E publikuar: 28/11/2024 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vesel Demaku

Mbi 100 ndeshje të Bundesligës austriake janë në karrierën e tij – tani Vesel Demaku ka marrë një “vendim personal”.

Ish-lojtari 15 herë i ekipit U21 të kombëtares austriake, dhe pjesë e klubeve Vienna Austria dhe SK Sturm, ndër të tjera, ka vendosur t’i bashkohet kombëtares së Kosovës në të ardhmen, raporton gazeta e përjavshme austriake, “Niederösterreichische Nachrichten”, transmeton Klankosova.tv.

Dëshirën 24-vjeçari me pasaportë të dyfishtë e kishte bërë të ditur prej kohësh, i cili aktualisht luan për klubin e futbollit të Bundesligës austriake, SCR Altach.

Vendimin, Veseli e bëri publik të enjten në një konferencë për shtyp në Altach, duke e quajtur si një “vendim personal”.

“Motivimi është i lehtë për t’u kuptuar për këdo që rritet me një kombësi të dytë. Gjithmonë keni dy kombësi që rrahin në zemër”.

“Më duhet të punoj shumë dhe nëse jam mjaftueshëm i mirë, do të thirrem” nga Kosova, tha mesfushori Demaku.

Ai sheh “po aq konkurrencë, nëse jo edhe më shumë lojtarë të njohur” në skuadrën e Kosovës.

Kombëtarja është ngjitur në vendin e 99-të në renditjen aktuale të FIFA-s.

Demaku kaloi nëpër të gjitha përzgjedhjet e të rinjve të Kombëtares së Austrisë, bëri 36 paraqitje ndërkombëtare nga U15 deri në U21, duke shënuar dy gola.