Veriu në “zjarr”, Grenelli kërkoi lirimin e Thaçit, a po shihet ai “lideri” i zgjidhjes së krizës?

E publikuar: 12/12/2022 18:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për situatën e tensionuar në veri ka pasur shumë reagime, njëri nga ta, që tërhoqi shumë vëmendje ishte edhe deklarata e ish të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, i cili u bëri thirrje evropianëve që të ndryshojnë strategjinë e tyre për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi përveç shqetësimit për situatën e tensionuar në veri, kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kërkesa e Grenellit për lirimin e Thaçit erdhi pikërisht në kohën kur situata në veri po cilësohet si “shumë e rrezikshme”, dhe si duket Grenell e sheh Thaçin si “të vetmin lider” që mund ta zgjidhë këtë situatë.

Thirrjen e Grenellit, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu e cilëson si “të drejtë”, pasi sipas saj institucionet ndërkombëtare po kërkojnë vazhdimisht partner serioz në zgjidhjen e problemeve.

Musliu në një deklaratë për Gazetën InLajmi thotë se Thaçi është i vetmi që garanton paqe dhe siguri në vend.

“Institucionet ndërkombëtare kërkojnë vazhdimisht partner serioz në zgjidhjen e problemeve. Presidenti Thaçi është dëshmuar si lider i pakontestueshem në menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve. Jo vetem Grenell, por edhe vetë populli i Kosovës e pret me padurim lirimin e presidentit Thaçi sepse është i vetmi që garanton paqe e siguri në vend”.

Ndryshe mendon analisti politik Gazmir Raci, i cili në një deklaratë për InLajmin thotë se Grenell e ka humbur plotësisht koncetrimin në çështjen për Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Racit, Grenell vetëm po bën politika ditore dhe me thirrjen për lirimin e Thaçit vetëm po ia vështirëson qëndrimin e tij në Hagë.

“Situata të tilla në veri sikur tash ka pasur edhe në kohën e Thaçit dhe të Haradinajt. Grenell e ka humbur plotësisht koncetrimin në këtë çështje dhe po bën politika ditore, që nuk i ndihmojnë Kosovës. Kosovën veç e dëmtojnë ato çka ai po thotë nëpër rrjete sociale, pasi Kosova e ka politikën e vet shtetërore, ka lidershipin e saj të zgjedhur politik me 51%, pra e kemi një Qeveri tashmë demokratike. Zotri Grenell me këto deklarata vetëm po ia vështirëson zotrit Thaçi qëndrimin në Hagë, duke dhënë kësi deklarata, prandaj nuk po i ndihmon aspak atje”, thotë Raci.

Njësoj mendon edhe analisti Behxhet Shala, i cili theksoi se Grenell nuk është njeri që nuk ka ndikim më as për çështjen e Kosovës e as për lirimin e Thaçit.

Shala thotë se Grenelli nuk mund të përcaktojë se kush mund ta zgjidhë çështjen e veriut të Kosovës.

“Grenelli nuk është njeri që ka ndikim, ai ka shumë informata, mirëpo nuk është njeri që mund të ketë ndikim. Ai mund të kërkojë 10 herë në ditë lirimin e Thaçit, por askush nuk e merr parasysh. Ai është më tepër është “zëri në një shkretëtirë” se sa që ka ndonjë mundësi reale për ta marrë seriozisht kërkesën e tij lirimin e Thaçit. Nuk mundet Grenelli të bëjë asgjë, ai e di që këtu është një qeveri, e cila është zgjidhur në bazë të votave. Por këtu është më tepër një garniturë politike, e cila nuk lejon që Grenelli të përcaktojë se kush do të jetë ai do ta zgjidhë çështjen e Kosovës”, tha ai për InLajmin.

Ndryshe, lirimi i Thaçit është kërkuar vazhdimisht nga shumë figura të njohura publike, gjithashtu rikujtojmë se kohëve të fundit mbrojtjen në liri të Thaçit e ka kërkuar edhe avokati i tij, por që kjo kërkesë është refuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë.