Veriu i Kosovës përplas Thaçin dhe Haradinajn

E publikuar: 27/03/2018 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Situata e djeshme ka ftohur marrëdhëniet ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, pasi Presidenti e ka anashkaluar kryeministrin rreth intervenimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për arrestimin e Gjuriqit. Por, një arsye tjetër që dy zyrtarët nuk po shkojnë mirë mes vete kohëve të fundit, është edhe njeriu që e kontrollon Veriun e Kosovës, Milan Radojiçiq, mik i kryeministrit Haradinaj. Arrestimin e tij po e kërkon Presidenti Thaçi, në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se njeriu që e kontrollon veriun e Kosovës Milan Radojiçiq, ka tensionuar raportet ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Milan Radojiçiq, i cili konsiderohet si shef i mafies në Veri të Kosovës, është edhe mysafir i shpeshtë në Prishtinë, për shkak të raporteve me Ramush Haradinajn.

Muaj më parë, Haradinaj e kishte pritur Radojiçiqin në një nga restorantet e Prishtinës. Por, kohëve të fundit, emri i tij është ndërlidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviq. Kjo është edhe arsyeja që Presidenti Hashim Thaçi është duke e kërkuar arrestimin e tij. Haradinaj ndërkaq ka raporte me të ngrohta me kapon e Veriut.

Gazeta Express merr vesh se Milan Radojiçiq ka qëndruar në shtëpinë e Haradinajt ditëve të fundit, ku është diskutuar mundësia që Lista Srpska ta votojë Demarkacionin. Aty kanë qenë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Sipas burimeve të Gazetës Express, Presidenti Thaçi është duke bërë presion tek institucionet e drejtësisë për arrestimin e Milan Radojiçiqit rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Për implikimin e Radojiçiqit në vrasjen e Ivanoviqit kishte folur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se Ivanoviq dhe Radojiçiq kishin pasur konflikt që nga viti 2000.

“Kam qenë në dijeni për konfliktet e tyre në Veri, ato politike dhe jo vetëm politike. Ka qenë e qartë që dyshimi (për vrasjen e Ivanoviqit), do të bjer; mbi të. Ai (Radojiçiq), e ka ditur se të gjithë do ta drejtojnë gishtin kah ai. Ajo që unë po e shoh është se hetimet po zhvillohen në të gjitha drejtimet”, pati thënë Vuçiq./Express/