Në “miniqeveri” është transformuar Mbrojtja Civile. Pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare kanë firmosur të hënën kontratat me institucionet e Kosovës dhe brenda pak ditësh do të nisin të zhvillojnë “aktivitetin shtetëror” në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë, ku kanë vepruar prej vitesh ilegalisht.
Nëpërmjet një njoftimi për media Qeveria ka bërë të ditur se është shuar “Mbrojtja Civile” në pajtim me një marrëveshje të mbërritur në Bruksel në mars të vitit të shkuar, shkruan sot Koha Ditore.
Saktësisht 483 pjesëtarë të kësaj strukture kanë firmosur kontratat me institucionet qendrore të Kosovës.
Sipas Qeverisë, integrimi është bërë në bazë të Ligjit për shërbimin civil. Por procesi ka qenë formal, ngaqë konkursi është shpallur enkas për punësimin e këtyre pjesëtarëve të kësaj strukture që ka vepruar në veri dhe që institucionet e kanë bërë përgjegjëse për veprimtari paramilitare.