Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi ka dhënë një propozim për liderët e shtetit të Kosovës.
Ai ka propozuar që kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, duhet të shkarkojnë gjashtë ministrat me aktakuza.
Sipas tij, këta gjashtë ministra duhet që brenda 72 orëve të ardhshme të shkarkohen.
Më poshtë propozimi i veprimtarit Lushi:
Veprimet dhe fjalët
Politikanët në Kosovë i duan fjalët shumë. Veprimet e duhura pak e hiç.
Ja një propozim për Ramush Haradinajn si KM dhe si kryetar i AAK-së dhe Kadri Veselin e Fatmir Limajn si kryetarë të partive PDK dhe Nisma:
ULUNI BASHKË DHE SHKARKONI 6 MINISTRAT ME AKTAKUZA.
Dërgoni mesazhin që nuk bëni kompromis me obligimet kundrejt ligjeve legale, etike dhe morale.
Gjashtë nga 22 ministrat e Qeverisë së Kosovës janë me aktakuza nga organet e drejtësisë, nën dyshime të ndryshme si, keqpërdorim i detyrës, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme. Ushtrimi i funksioneve publike në rast se bartësit kanë aktakuzë nuk duhet të lejohet asnjë ditë. Ligji nuk ekziston ende dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt, por si ndihen Haradinaj, Veseli dhe Limaj kur nga qindra kuadra në partitë e tyre duhet të mbajnë në qeverisjen e shtetit njerëz me aktakuza? A ka përgjegjësi morale dhe politike në Kosovë?!
Ja ministrat me probleme me aktakuza dhe procese gjyqësore në Qeverinë e Kosovës:
Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i akuzuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Dardan Gashi, Ministër i Diasporë, për të njëjtën vepër si Shala.
Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka qenë i akuzuar për konflikt interesi, i shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por rasti është në Gjykatën e Apelit.
Ministra të akuzuar në Qeverinë e Kosovës janë edhe tre tjerë: Pal Lekaj, Ministër i Infrastrukturës, Besim Beqaj, Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Rrustem Berisha, Ministër i Mbrojtjes.
A po doni veprime të duhura, që tregojnë përgjegjësi kundrejt qytetarëve që i binden dhe zbatojnë ligjin, që tërheqin investime dhe që e vendosin BE-në në pozita ku nuk kanë si të mospranojnë përparime në Kosovë, atëherë shkarkoni 6 ministrat brenda 72 orëve të ardhshme.
Gjithçka tjetër është fjalë, fjalë, fjalë!