Veprimtari i LDK-së Zogaj: LDK-ja para zgjedhjes fatale, kthim te Rugova ose zhdukje politike

E publikuar: 29/12/2025 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Fushë Kosovës dhe veprimtar i LDK-së, Skender Zogaj, ka reaguar ashpër pas rezultatit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke vlerësuar se partia ndodhet në një pikë kritike ekzistence dhe përballet me një zgjedhje historike: kthim te vlerat e Ibrahim Rugovës ose zhdukje politike.

Sipas Zogajt, rezultati i LDK-së nuk është as befasi dhe as padrejtësi, por pasqyrim i drejtpërdrejtë i devijimit të saj prej vitesh nga kursi historik dhe ideologjik. Ai thekson se subjekti politik ka mbijetuar vetëm falë militantëve besnikë që mbeten të lidhur emocionalisht me trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, ndërsa pa këtë bazë, sipas tij, LDK-ja do të ishte zhdukur nga skena politike.

Zogaj duke shkruar në Facebook, vlerëson se LDK-ja është shkëputur nga “Magjistralja Ibrahim Rugova” dhe është futur në një rrugë pa identitet dhe pa busull politike, gjë që ka prodhuar humbje të njëpasnjëshme dhe rrezikon vetë ekzistencën e saj si forcë serioze politike. Ai e cilëson rezultatin zgjedhor si “alarmin e fundit” për një ringjallje të thellë dhe substanciale.

Në deklaratën e tij, Zogaj kërkon analizë të pamëshirshme të humbjes dhe refuzon, siç thotë ai, çdo qasje kozmetike apo relativizim të dështimit. Ai thekson se LDK-ja ose duhet të rikthehet si manifest i vlerave demokratike euro-perëndimore dhe partneritetit strategjik euro-amerikan, ose nuk ka më arsye të ekzistojë politikisht.

Ai kritikon ashpër lidershipin aktual, duke kërkuar marrje të plotë përgjegjësie dhe hapje të rrugës për ndryshim real. Sipas Zogajt, strukturat aktuale partiake janë ndërtuar mbi emërime arbitrare, interesa të ngushta dhe pazare të mbyllura, duke e mbajtur peng partinë dhe duke spastruar sistematikisht frymën rugoviane.

“Por e vërteta është e hidhur: LDK-ja prej vitesh, me vetëdije të plotë, ka braktisur kursin e saj historik. Është shkëputur nga Magjistralja Ibrahim Rugova dhe është futur në një “rrugë të re” pa drejtim, pa identitet dhe pa busull politike. Kjo rrugë po e çon LDK-në nga humbja në humbje, drejt një rrëshqitjeje të rrezikshme që kërcënon vetë ekzistencën e saj”, ka shkruar Zogaj në Facebook.

Zogaj bën thirrje që Këshilli Qendror i LDK-së të nisë urgjentisht procesin zgjedhor të brendshëm në të gjitha degët, nën parimin e votës së fshehtë, si kusht i panegociueshëm për rikthimin e legjitimitetit demokratik. Vetëm pas këtij procesi, sipas tij, mund të ndërtohet një Kryesi Qendrore me mandat të pastër dhe autoritet real politik.

Në përfundim, ai thekson se vetëm përmes këtij transformimi LDK-ja mund të rikthehet në rolin e saj historik – në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe vlerave që e bënë simbol të rezistencës paqësore dhe shtetndërtimit – ndërsa çdo rrugë tjetër, sipas tij, çon drejt degradimit dhe shuarjes përfundimtare të partisë.