Një vepër e artistit britanik, Banksy, që ishte vjedhur në vitin e kaluar nga salla e muzikës në Bataclan të Parisit është gjetur nga policia në Italinë qendrore.
Vepra, që paraqiste një grua të re të pikëlluar, ishte pikturuar në nderim të viktimave të sulmit terrorist në këtë sallë më 2015, shkruan BBC.
Ishte prerë dhe hequr në njërën prej dyerve emergjente të Bataclanit, transmeton KOHA.
Sipas raportimeve nga La Repubblica kjo vepër është gjetur në një fermë në regjionin Abruzzo.
Avokati i distriktit të qytetit italian L’Aquila, Michele Renzo, ka treguar se si është gjetur vepra.
“Ajo ishte e mundur të gjendej pas hetimeve të kryera nga prokurori i distriktit në bashkëpunim me policinë dhe gjyqësorin francez”, ka thënë Renzo.
Murali ishte vjedhur në janarin e vitit 2019.
Pasi ishte vjedhur, Bataclan, kishte shkruar në një postim në Twitter se, “sot jemi thellësisht të indinjuar. Vepra e Banksyt, një simbol i memories që na përkiste të gjithëve – vendasve, parisienëve, qytetarëve të botës – ishte vjedhur nga ne”.
Pritet të mbahet një konferencë për media ku do të japin detaje të tjera se si është gjetur ky grafit i Banksyt.
Në sulmin terrorist në Bataclan të kryer në nëntor të vitit 2015 kishin mbetur të vdekur 90 persona gjatë një koncerti të rok grupit ‘Eagles Of Death Metal’./Koha.net/