Vendos Kuvendi, KOSTT-it i paguhen shpenzimet për rrymën në veri

E publikuar: 06/05/2021 23:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga 68 deputete të pranishëm, 61 kanë votuar pro rekomandimeve të komisionit për Ekonomi, që KOSTT-it t’i mbulohen shpenzimet prej 11 milionë euro, për energjinë në pjesën veriore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Javën e kaluar, komisioni kishte miratuar propozimin e KOSTT-it për ndarjen e këtyre mjeteve.Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta Qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 eurove për pensionistët.

Për Lidhjen Demokratike e Kosovës, Qeveria Kurti se po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona.