“Vendimi për Aganin, në bashkëpunim me dy partitë në koalicion”

E publikuar: 18/06/2016 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka kërkuar nga kreu i Qeverisë që ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së një vendimi që ministri beson se do të jetë “pafajësia e plotë”, por kryeministri Mustafa ende nuk ka marrë vendim.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se kryeministri Mustafa ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën e ministrit Agani, por se vendimi do të merret në bashkëpunim me palët që përbëjnë qeverinë aktuale.

“Për momentin kemi vetëm deklaratën e z. Agani, e cila do të shqyrtohet dhe më pas do të merret një vendim për këtë çështje”, ka thënë Abdullahu për Telegrafin.

“Ajo që mund të thuhet tani, është se Kryeministri Mustafa do ta ketë për baze parimin e njohur tashmë, i cili është vendosur si normë dhe vlen për të gjithë, e që ka të bëjë konkretisht me qeverisjen dhe raportin e qeveritarit me drejtësinë”.

“Sigurisht, sikundër edhe deri më tani, vendimi do të merret në bashkëpunim me palët që përbëjnë qeverinë aktuale”, tha Abdullahu.