Vendimi i Kryeministrit për shtimin e këshilltarëve, i papranueshëm për shoqërinë civile

E publikuar: 07/10/2017 19:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministrit Ramush Haradinaj nuk i ka mjaftuar rritja e numrit të ministrive nga 19 në 21 të tilla.

Haradinaj me ardhjen në krye të Qeverisë, ka jetësuar edhe një politikë të re përmes së cilës mundësohet shtimi i numrit të këshilltarëve politikë, raporton KTV.

Këtë e ka bërë nëpërmjet ndryshimit të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive.

Në bazë të këtij ndryshimi, kryeministri dhe ministri “mund të emërojë edhe nga një këshilltar politik për secilin nga komunitetet pakicë”.

Përveç kryeministrit, me këto ndryshime edhe ministrave u mundësohet ta shtojnë për një numrin e këshilltarëve.

Një veprim i tillë i ekzekutivit, po konsiderohet mjaft i gabuar nga ana e Shoqërisë Civile.

Visar Rushiti nga Instituti GAP, thotë se përveç numrit të madh të zëvendës-ministrave, të cilët kanë mundësi t’i emërojnë nga 6 këshilltarë politikë dhe stafi përcjellës i tyre do ta dëmtonte buxhetin.

Sipas Rushitit, nuk është vetëm paga që njerëzit politik të kabinetit marrin, por ka edhe shumë gjëra tjera përcjellëse që u takojnë atyre siç janë zyrat, veturat e telefonat.

Njëjtë mendon edhe Florent Spahiu i KDI-së, i cili thotë se me shtimin e numrit edhe për nga një të këshilltarëve politikë, do të rritej kostoja e shpenzimeve.

Sipas tyre, hartimi sa më i shpejtë i një ligji të mirëfilltë për Qeverinë, do të ishte i mirëseardhur në mënyrë që kryeministri të mos ketë të drejtë të emërojë ministra e zëvendësministra sipas qejfeve të tij.

Por, rritjen e numrit të këshilltarëve politik, qeveria po arsyeton me faktin se komunitetet joshumicë kanë nevojë për një trajtim më të mirë.

Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, zyra e kryeministrit ka mohuar se një veprim i tillë është ndërmarrë për të punësuar njerëz.

Gjithashtu, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se ideja është mirëpritur nga organizata vendore e ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe të drejtat e njeriut.