Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjakovës, Shefqet Shehu, vizitoi sot biznesin model NEU PLAST SHPK, ku u njoh nga afër me punën e jashtëzakonshme të këtij ekipi kampion që me produkte cilësore ka arritur tregjet evropiane, përfshirë Zvicrën dhe Gjermaninë.
Gjatë vizitës, Shehu prezantoi programin e tij për zhvillimin ekonomik të Gjakovës, duke theksuar se bizneset vendore janë gjeneratorë të punësimit dhe motor i zhvillimit. Ai u zotua se në mandatin e tij nuk do të ketë asnjë biznes gjakovar të harruar apo të lënë anash.
Shehu premtoi se ndër vendimet e para që do të marrë, është rishikimi i rregullores për taksat dhe tarifat komunale, ku do të hiqet taksa për firmat, e cila po i dëmton bizneset gjakovare.
“Bizneset gjakovare janë zemra e ekonomisë sonë. Ne do të jemi krah i tyre i djathtë në çdo hap – për të lehtësuar investimet, për të hapur vende pune dhe për të çuar përpara prodhimin tonë ‘Made in Gjakova’ drejt tregjeve ndërkombëtare. Jemi me ta – jemi për ta – jemi për ekonominë tonë të zhvilluar,” tha Shehu.
Ai falënderoi pronarët e kompanisë dhe stafin për punën, përkushtimin dhe për sukseset e arritura, duke e cilësuar NEU PLAST SHPK si një storie fantastike dhe frymëzim për të gjithë Gjakovën.


















