Njohësi i çështjeve politike, Ismet Kryeziu, ka thënë se respektimi i vendimit që u mor mbrëmë nga Gjykata Kushtetuese, nuk është pozicionim pro/kundër një subjekti politik, apo pro/kundër një kryeministri potencial, në këtë rast kandidatit të dekretuar për kryeministër, Avdullah Hoti.
Në një shkrim në rrjete sociale, Kryeziu, thotë se vullneti i deputetëve për të zgjedhur një qeveri të udhëhequr nga kandidati Hoti, mund edhe të jetë në kundërshtim me vullnetin tim si qytetar. Por, shton se kjo gjë është legjitim dhe legal, konform rregullave të shumicës edhe demokracisë përfaqësuese, tani më të interpretuar dhe nga Gjykata Kushtetuese.
Shkrimi i plotë nga Ismet Kryeziu:
Respektimi i vedimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është pozicionim pro/kundër një subjekti politik, apo pro/kundër një kryeministri potencial, në këtë rast kandidatit të dekretuar për kryeministër, zotit Hoti. Është respektim jo vetëm për faktin se ka karakter obligativ, por edhe për arsyen themelore që përmes këtij interpretimi garantohen edhe mirëmbahen vlerat e demokracisë Kosovare.
Vullneti i deputetëve për të zgjedhur një qeveri të udhëhequr nga kandidati z.Hoti, mundet dhe të jetë në kundërshtim me vullnetin tim si qytetar. Por, është legjitim dhe legal, konform rregullave të shumicës edhe demokracisë përfaqësuese, tani më të interpretuar dhe nga Gjykata Kushtetuese.
Prandaj, si të tillë dhe duhet ta respektojmë. E kjo, s’na mohon të drejtën tonë themelore për të kërkuar përgjegjësi, llogaridhënje edhe transparencë si vlera që garantojnë një qeverisje t’mirë. Madje, e drejta jonë për të kërkuar zgjedhje të reja dhe përbërje të re të një kabineti qeverisës, mund të jetë amgazhim i ynë i përditshëm, konform rregullave edhe vlerave demokratike.