Të dënuarit nga Gjykata Speciale, nuk do të kenë një shkallë të tretë ku të ankohen për vendimet e gjykatësve ndërkombëtarë.
Kjo pasi Kosova nuk është anëtare në Këshillin e Evropës, gjë që do të ua mundësonte të dënuarve të ankoheshin në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.
Avokati Tom Gashi, thotë se grupi teknik i ekspertëve që kanë punuar me Bashkimin Evropian në Bruksel, nuk ka kërkuar fare që të ketë edhe një shkallë të tretë të drejtësisë që do të ishte Gjykata Ndërkombëtare në Strasburg.
Tribuna Channel është interesuar të marrë një përgjigjeje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje.
Zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi sugjeroi që të kontaktohet Ardian Arifaj këshilltar i zëvëndëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, por Arifaj nuk kishte një përgjigjeje për ne.
Përgjigjeje nuk kanë dhënë as Bashkimi Evropian dhe ambasada e Holandës në lidhje me këtë çështje.