Qeveria e Kosovës i ka ndarë 8 milionë euro për veteranët e UÇK-së. Propozim-vendimi për transferimin e këtyre mjeteve nga Ministria e Financave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale për zbatimin e ligjit për veteranët është miratuar sot në Qeveri. Kryeministri Isa Mustafa thotë se marrëveshja i krijon kushtet e pagesës së pensioneve për veteranët menjëherë.
8 milionë euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës për pagat mujore të veteranëve të UÇK-së, vetëm deri në fund të vitit 2015.
Qeveria e ka miratuar vendimin për transferin e mjeteve nga Ministria e Financave në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, për zbatimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga data 5 tetor, ka filluar e drejta për aplikim në kategorinë e veteranëve. Ndërsa deri më sot, janë pranuar 12 mijë aplikacione.
Shuma të cilën do ta marrin veteranët, sipas vendimit të sotëm, do të varet nga verifikimi i listave të përfituesve që i kanë plotësuar kushtet për realizimin e pensionit luftëtar të UÇK-së.
Kryeministri Mustafa me këtë rast ka thënë se me këtë vendim krijohen kushtet që të fillojë pagesa për veteranët.
“Me këtë, ne praktikisht krijojmë kushtet që menjëherë të fillojë pagesa për veteranët që i kanë plotësuar kushtet dhe ata që në mënyrë suksesive hyjnë në listë. Është një fakt që Qeveria po i përmbush detyrimet e veta për veteranët”, theksoi kryeministri, gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, po ashtu është miratuar edhe marrëveshja për bashkëpunim shkencor, arsimor dhe kulturor me Republikën e Hungarisë. Një hap i tillë, sipas Qeverisë, do t’ua mundësojë 30 studentëve kosovarë, që nga viti i ardhshëm akademik, të shkojnë në studime falas në Hungari.