Shqiptarët kanë renditur se cilët janë vendet mike dhe armike me Shqipërinë, në sondazhin e fundit të Barometrit të publikuar nga Euronews.
Italia, Gjermania, SHBA-ja, Turqia janë sipas renditjes së qytetarëve më miqësore me vendin tonë në krahasim me 14 vende të tjera të listuara në pyetjen drejtuar atyre. Përkatësisht Italia 98 për qind, Gjermania 92 për qind, SHBA-ja 91 për qind dhe Turqia 90,5 për qind.
Në analizën e mëtejshme të këtij vlerësimi rezulton se vendet më armiqësore sipas tyre janë Serbia dhe Rusia.
Kjo gjë konfirmohet edhe në pyetjen e drejtpërdrejtë të Barometrit për vendet armike, ku Serbia kryeson listën e vendeve të vlerësuara si më armiqësore me 49,7 për qind, ndjekur nga Rusia me 49 për qind.
Një vlerësim më neutral për të qenit miqësor me vendin tonë, qytetarët e kanë për vendet e tjera evropiane si Britania e vlerësuar me 67.4 për qind si mike dhe 6.6 për qind si armike, apo vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit.
Kjo renditje në analizën e të dhënave të krahasuara më një vit më parë nuk ka ndryshime, çka tregon se kjo është një bindje kulturore dhe historike dhe jorastërore për qytetarët shqiptarë.
Po kështu edhe krahasimi i vlerësimit për miq dhe armiq të shqiptarëve nuk ka diferencë të dukshme në grup-mosha të ndryshme, por është pak a shumë një vlerësim në të njejtat nivele.