Një shkollë e mesme në Vushtrri mban emrin e tij. Bahri Haxha është vrarë më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, por dhjetë vjet më pas ka hyrë në listën e dëshmorëve të kombit.
Emërtimi i shkollës u bë me vendim të Kuvendit komunal pas shpalljes së Haxhës dëshmor në vitin 2009.
Por në listat e verifikuara të Zonës Operative të Shalës që janë publikuar dje emri i Bahri Haxhës figuron në listën e të refuzuarve nga Brigada 141 “Mehë Uka” të UÇK-së, transmeton KosovaPress.
Bahri Haxha është vëlla i ish-kryeshefit të PTK-së Shyqyri Haxha. Mediat më herët kanë raportuar se Bahri Haxha është futur në listën e dëshmorëve të Zonës së Shalës me intervenim nga vëllai i tij Shyqeri Haxha i cili në atë kohë ishte në krye të PTK-së.
Madje trupi i Bahri Haxhës prehet në varrezat e dëshmorëve në Stanovc të Vushtrrisë pasi që paraprakisht ishte zhvarrosur nga varrezat e martirëve që gjenden në Studime të Epërme, fshatin ku Haxha ishte vrarë së bashku me më shumë së njëqind civilë të kësaj ane.
Edhe ndërrimi i emrit të shkollës profesionale nga Latif Berisha në Bahri Haxha mediat kanë raportuar se është bërë me ndikim të Shyqyri Haxhës.
Statusin dëshmor i kombit, të ndjerit Bahri Haxha ia kishte dhënë Gani Imeri, në cilësinë e komandantit të Batalionit që ka qenë në kuadër të Brigadës “Mehë Uka”.
Imeri ndaj të cilit është bërë një gjyq ku në mesin e aktakuzave përfshihej edhe falsifikimi i dokumenteve në lidhje me dhënien e statusit të dëshmorit Haxhës, është drejtor i një Drejtorie në komunën e Vushtrrisë që udhëhiqet nga PDK-ja.
Ai është shpallur i pafajshëm nga akuzat për korrupsion përfshirë edhe falsifikimin me dokumente.
Emri i Gani Imerit figuron tek listat e invalidëve të UÇK-së të Brigadës “Mehë Uka”, të Zonës së Shalës./KosovaPress/