Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka zhvilluar një bisedë telefonike me Hashim Thaçin në Hagë, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Përmes një publikimi – video në Facebook, Rama u shpreh se kësaj radhe biseda kishte një ndjesi ndryshe, pasi, sipas tij, “Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij”.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush”, shkruan Rama në Facebook.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama i thotë Thaçit në telefon se është i shqetësuar këtë histori, derisa të njëjtin e quan vëlla.
“Jam shqetësuar shumë… Vëllai im të përqafoj fort, të dua shumë, më vjen keq që s’bëj dot më shumë, por gëzuar, të përqafoj fort dhe të fala atyre shokëve”, i thotë Rama Hashim Thaçit.
Sot, në Prishtinë është mbajtur një protestë e organizuar nga “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.




















