Veljanovski: Grupi terrorist donte ta dëmtonte Maqedoninë

E publikuar: 23/05/2015 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë samitit të SEECP-së në Tiranë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, ka folur për Kumanovën, duke e klasifikuar ngjarjen atje si një përpjekje dhe akt terrorist.

Sipas tij, sot rajoni po përballet me mungesën e paqes dhe të stabilitetit, dhe se sa i përket Maqedonisë, policia e përballoi me profesionalizëm grupin kriminal terrorist, që u bë rrezik për gjithë rajonin.
Për Veljanovskin, mbrojtja e sigurtë për Ballkanin nga destabiliteti dhe grupet terroriste, është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Sipas kryeparlamentarit maqedonas, kapërcimi i sfidave bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar.

“Në Maqedoni arritëm të parandalojmë përshkallëzimin e tensioneve. Aksioni i policisë i kryer me shumë profesionalizëm e neutralizoi grupin kriminal terrorist, të cilët donin të dëmtonin rëndë Republikën e Maqedonisë edhe të përbënin një kërcënim për të gjithë rajonin. Sigurisht që situata politike aktuale kontribuon në përkeqësimin e mirëqenies së përgjithshme në shtet. Kjo ngjarje e pakëndshme nënvizon nevojën për një integrim më të shpejtë të rajonit në NATO dhe BE. Sërish dua të nënvizoj se situata e status-quosë në integrimin euroatlantik për ne dhe shtetet e rajonit krijon frustrim dhe na bën vunerabël ndaj tentativave për destabilizim. Unë mendoj se kapërcimi i sfidave bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar,” tha Veljanovski.

Në të njëjtin mendim ka qenë edhe delegacioni nga Beogradi gjatë fjalës që patën në ditën e dytë të samitit të SEECP-së, të cilët u shprehën se Serbia dënon çdo përpjekje që cënon destabilitetin e shtetit fqinj, Maqedonisë.

“Republika e Serbisë i dënon fort përpjekjet për të cënuar stabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit dhe shprehim solidaritetin tonë për mbrojtjen e jetës dhe jemi kundër ekstremizmit dhe dhunës. Rajoni ynë ka shumë nisma shumëpalshe nga ato politike deri nga ato të bashkëpunimit në fusha të tjera. Gjithsesi ka hapësirë të madhe për më shumë aktivitete të përbashkëta në fusha prioritare si në zhvillimin ekonomik dhe social, energjitikë, në infrastrukturë, gjyqësor, çështjet e brendshme, siguri, arsim, zhvillimin social dhe forcimin e burimeve njerëzore,” tha përfaqësuesi i Serbisë në samitin e SEECP-së në Tiranë.

Ata thanë se është me rëndësi që përmes bashkëpunimit të qeverive të identifikojmë projektet që kanë interes të përbashkët për të gjitha vendet e rajonit dhe të mundësojmë zbatimin e tyre duke i lidhur këto projekte me planet e KE-së, sidomos në kuadrin e IPA-2./rtk/