Velija: Kompjuteri pajisje shkollore për nxënës

E publikuar: 02/06/2017 09:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kompjuteri duhet të bëhet pjesë e klasës dhe çdo shkollë duhet të ketë kompjuterë,” ka deklaruar Dardan Velija, kandidat për deputet nga Koalicioni LDK-AKR-ALT në tubimin elektoral në Lagjen Qyteti i Vjetër në Prishtinë.
Sipas tij, laptopë për secilin nxënës është projekt që synon që nxënësit t`i edukojë për përdorimin e teknologjisë informative në funksion të aftësisë kërkimore në platformat edukative online.

Kjo do të mundësonte që gradualisht kurrikulat shkollore të transformohen konform trendit zhvillimor teknologjik dhe një pjesë e librave të zëvendësohen me ato elektronike, si masë edhe për lehtësimin e çantave të shkollarëve, të cilat tashmë kanë arritur peshë shqetësuese për grupmoshat e caktuara. Pra, sa më shumë laptopë në shkolla, më pak nxënës me skoliozë, apo probleme të tjera të kësaj natyre. Kësisoj platforma E-school do të jetë mundësi e mirë për përgatitjen e nxënësve kosovarë për konkurrim në hapësirën shkollore evropiane.

Ai ka theksuar që qeveria e re do të përkrahë inovacionin dhe kreativitetin e të rinjve, të cilët duhet ta vihen në funksion të zhvillimit të shtetit.

“Ka vetëm disa qindra kompani prodhuese në Kosovë e do të na duhet t’i kemi disa mijëra euro që paraja të qarkullojë brenda vendit, por jo të dalë jashtë tij. Për këtë, do të krijojmë një status special, me të cilin prodhuesve do t’u japim të drejta të veçanta dhe përkrahje të veçantë”, tha ai.

Në pyetjen pse ai kishte zgjedhur LDK-në për t’iu bashkangjitur, kandidati Velija u përgjigj: “LDK, si partia e parë në vend është themeluar me qëllim të vënies së qytetarëve aktivë në shërbim të vendit. LDK nuk është themeluar si disa parti të tjera, të cilat janë themeluar që vendin ta vendosin në shërbim të një grupi njerëzisht. Prandaj, kushdo që konsideron të futet në politikë, duhet ta konsiderojë LDK-në si opsionin e parë”, është shprehur Velija. Dardan Velija është kandidat i LDK-së në koalicion, me numrin 85.