Vendimet e para në krye të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka i ka marrë lidhur me ndërtimet. Veliaj ka vendosur për pezullimin e ndërtimeve deri në hartimin e një plani për zhvillimin e territorit si dhe auditimin e të gjitha lejeve të dhëna nga paraardhësi i tij, Lulzim Basha.
Bashkia ka firmosur sot me Ministrinë e Zhvillimit Urban një marrëveshje për bashkëpunim që do të sjellë hartimin e një plani që do të jetë gati brenda vitit të parë të këtij mandati.
“Nga sot, duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit t Tiranës, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, tha Veliaj. “Na duhet që shumë më shpejt se sa fundi i mandatit, ne të kemi një plan të mirëfilltë zhvillimi për Tiranën, që pastaj pjesën tjetër të mandatit të vëmë në zbatim këtë plan e të shikojmë një boom ekonomik, për të cilin Tirana ka humbur shumë kohë në këto katër vitet e fundit.”
Kreu i bashkisë nënvizoi se, Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një verifikim të të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna deri më tani nga bashkia e mëparshme, për të parë ligjshmërinë e tyre. Sipas tij, kjo do të shërbejë për t’u siguruar që, nëse ka parregullsi, ato të trajtohen ligjërisht.
“Inspektorati i Ndërtimit dhe Policia Bashkiake do të bëjnë verifikimet dhe disiplinimin e territorit që tashmë kemi trashëguar. Kjo të thotë të gjithë verifikimin e ndërtimeve pa leje, shkeljet në urbanistikë apo edhe një audit të lejeve që janë dhënë, për t’u siguruar që nëse ka parregullsi, parregullsitë do të trajtohen ligjërisht, por edhe për t’u siguruar që këto parregullsi dhe kjo sjellje e shkeljes konstante të çdo parimi urbanistik, dhe të çdo parimi të bashkëjetesës në komunitet të mos jetë një modë që vazhdon në Bashkinë e re të Tiranës, për të vendosur një standard të ri”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se, nuk bëhet fjalë për të pasur një plan se ku do ndërtohen pallatet e Tiranës. “Por, për të pasur një plan të mirëfilltë zhvillimi, se ku do të jenë parqet e reja të Tiranës, zonat e reja ekonomike të saj dhe ku do të jenë zonat me ekskluzivitet bujqësor të. Pra, kalojmë nga logjika e planeve të lejeve të ndërtimit, tek logjika e planit të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, ku mbahen parasysh të gjitha ato elementë që sjellin zhvillim, të gjitha industritë apo fushat e tjera të zhvillimit, si bujqësia dhe turizmi”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë sqaroi se, “sot jetojmë në një realitet të ri dhe na duhet një plan përtej ish-vijës së verdhë dhe një plan që përqafon të gjithë zgjerimin e Tiranës në një koncept modern, me ekspertizë dhe me integritet profesional, për të ofruar Tiranën e konceptuar në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme dhe jo një Tiranë të qokave të një mandati apo të një procesi të caktuar politik”.
Nga ana e saj, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermni, theksoi se ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimin urban në Shqipëri.
“Tashmë, njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore dhe resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare do të hartojmë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive”, theksoi Gjermeni.
Me reformën e re administrative, territori i Bashkisë së Tiranë është zgjeruar me 24 herë.
/shqiptarja.com)