Maqedonia e Veriut mbetet në fokus të mediave botërore sa i përket lajmeve të rreme.
Së fundmi, gazeta amerikane The Washington Post ka publikuar një artikull, ku thuhet se faqja në Facebook e quajtur “Veteranët për Trump-in”, ku ish-zyrtarët e shërbimeve ushtarake, kanë këshilluar dhe debatuar me presidentin amerikan, Donald Trump nga muajin mars i këtij viti, është “kidnapuar nga një biznesmen në Maqedoninë e Veriut”.
Në gazetën The Washington Post theksohet se në kidnapimin e faqes “Veteranët për Trump-in”, është përfshirë Pande Arsov, i cili është vëllai i avokatit nga Velesi, Trajçe Arsov, për të cilin, IRL dhe partnerët e projektit për raportin për krim të organizuar dhe korrupsion si dhe “Buzzfeed”, raportuan se ai është pronari i vërtetë i kësaj faqeje.
Por, avokati Trajçe Arsov, për Radion Evropa e Lirë, thotë se vëllai i tij, Pande Arsov faqen “Veteranët për Trump-in”, e ka blerë për arsye ekonomike dhe në asnjë mënyrë nuk e ka hakuar këtë faqe.
“Nuk është e vërtetë se unë e kam hakuar faqen në Facebook ‘Veteranët për Trump-in’. Jo vetëm që nuk e kam hakuar, por unë personalisht nuk kam të bëj asgjë me këtë faqe. Përkatësisht, këtë faqe, vëllai im e ka blerë në rrugë ligjore në qershor të vitit 2019”, tha avokati Trajçe Arsov.
“Në rrugë ligjore ai e ka blerë faqen në fjalë. Në momentin e blerjes, shitësi është legjitimuar si pronar dhe kjo është verifikuar në shqyrtim me administratorët e faqes ‘Veteranët për Trump-in’”, thotë ai, duke sqaruar se kjo faqe ka qenë në pronësi të vëllait të tij vetëm për dy muaj, pasi kompania Facebook, në fund të muajit gusht, faqen “Veteranët për Trump-in” ua ktheu në pronësi krijuesve të vërtetë.
The Washington Post njëherësh kujton se qytetarët e Velesit u bën të njohur në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 – për çka kishte hetim lidhur me ndikimin e mundshëm gjatë fushatës zgjedhore – pas dyshimeve se nga Velesi është bërë fushatë për ta ndihmuar Trumpin të fitojë zgjedhjet presidenciale, duke përhapur lajme të rreme për kundërshtarët e tij dhe për propagandë që thuhej se ishte në linjë me politikat e Trumpit.
“Mjeti kryesor për përhapjen e propagandës ishin faqet e Facebook-ut, prej të cilave disa arritën të kenë deri në 2 milionë ndjekës. Pas presionit të madh nga ana e publikut, Facebook i ka fshirë këto faqe. Por, si duket kanë gjetur mënyra të reja si të arrijnë te publiku i dëshiruar në SHBA”, thuhet ndër të tjera në artikullin e The Washington Post.
Institucionet Maqedonisë së Veriut janë zotuar se përmes transparencës do të luftojnë lajmet e rreme.
Ndërkohë, punonjësit e mediave thonë se lajmet e rreme shkaktojnë dëme të pa rikuperueshme, ndaj personave të cilët vendosen në shënjestër, pavarësisht se më pas konstatohet se të dhënat e paraqitura për ta kanë qenë dezinformata.
Biljana Petkoska nga Instituti i Mediave në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se detektimi i burimeve të lajmeve të rreme paraqet një proces shumë të komplikuar sepse pas këtyre lajmeve fshihen struktura të fuqishme, që kanë resurse të mëdha materiale dhe njerëzore.
“Për të gjithë ne që jemi pjesë e mediave, është më se e qartë se në këtë proces, media të caktuara, partitë politike, qendrat ekonomike, bizneset, por edhe shërbimet në fushën e sigurisë janë aktorët e krijimit të lajmeve të rreme”, thekson Petkoska.
Punonjësit e mediave theksojnë se zhvillimi i shpejtë i mediave të reja, veçanërisht informimi on-line përmes rrjeteve sociale, ka kontribuar në zhvillimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rrejshme me një hov të pakontrollueshëm.