Lidhja familjare me ish-kryetarin thotë se po ia rrezikon vendin e punës.
Xhevdet Bushi, i cili ka 20 vjet që punon në zyrën e Prokurimit në Komunën e Hanit të Elezit, pretendon se nga viti 2021 kur u ndërrua pushteti, komuna nisi planin për largimin e tij nga ky institucion.
Ai po e akuzon Partinë Demokratike të Kosovës që po i bëjnë padrejtësi të vazhdueshme dhe po tentojnë që t’ia montojnë ndonjë rast për ta përjashtuar, vetëm për faktin që ai është djali i motrës së ish-kryetarit, Rufki Suma, raporton Kiks Kosova.
Ky plan, ai thotë se nisi që nga viti 2021, kur në pushtet erdhi Mehmet Ballazhi dhe stafi i tij. Që më shumë se katër vjet, ai thotë ka pasur presione e sulme. Madje, në të gjitha vlerësimet e performancës, Bushi pohon se kryetari e ka vlerësuar me notën minimale, sipas tij, vetëm për inate politike.
Të gjitha vlerësimet që i ka marrë nga Ballazhi, ai i kishte ankimuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil dhe thotë se ky këshill ka marrë vendime në favor të tij, me ç’rast iu rrit nota e performancës.
Bushi shprehet skeptik që gjërat do të ndryshohen sivjet, krejt kjo pasi që jo çdo vendim i këtij organi është zbatuar nga kryetari Mehmet Ballazhi. E drejta e pushimit ai pretendon se i është mohuar gjatë gjithë vitit 2025 dhe privim i kësaj të drejte ai thotë se i është bërë qëllimisht.
Nipi i Rufki Sumës, i cili ka 20 vjet që punon në zyrën e Prokurimit në këtë komunë, ndihet i pasigurt në vendin e tij të punës.
Frika se mund t’i montohet ndonjë rast për ta shkarkuar nga kjo pozitë, atij iu shtua kur zyrës së tij iu ndërrua cilindri i derës. Nga frika se mund të vendoset para aktit të kryer, Bushi më 11 nëntor e ka lajmëruar rastin e ndërrimit të cilindrit të derës në Stacionin Policor në Han të Elezit.
Të gjitha këto ngjarje kanë bërë që Bushi të mendojë seriozisht largimin e tij nga puna, pas 20 vitesh.


















