Vdes polici gjerman në aksident, po shoqëronte shqiptarin për ta kthyer në Shqipëri

E publikuar: 18/08/2015 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy policë gjermanë nga Baden-Württemberg e kishin për detyrë që me veturën zyrtare të policisë Mercedes Vito ta shoqëronin një shqiptar deri në aeroport, i cili duhej të kthehej për në Shqipëri.
Gjatë udhëtimit të tyre, afërsisht rreth orës 6.50 minuta të ditës së hënë, në autostradën 5 në Zeppelinheim, afër Neu Isenburg të Gjermanisë, vetura e policisë godet nga prapa një kamion, i cili transportonte shtylla të çelikut, raporton bild.de, transmeton albinfo.

Nga goditja e tmerrshme e aksidentit shtylla shpon xhamin e përparmë të veturës dhe e godet kokën e policit, i cili ngiste veturën. Nga plagët e marra polici gjerman (45-vjeçar) nuk arrin të mbijetojë.

Plagë të rënda, por për fat të mirë jo vdekjeprurëse, ka marrë edhe kolegu i tij që ishte afër, ndërsa më lehtë ka shpëtuar shqiptari 33-vjeçar, i cili ishte i ulur në karriget e pasme të veturës. Të aksidentuarit u dërguan menjëherë për në spital. Në anën tjetër, shoferët e kamionit kanë shpëtuar pa asnjë lëndim, njofton albinfo.ch.

Siç ka njoftuar policia gjermane, ende nuk janë bërë të ditura arsyet e këtij aksidenti tragjik.